R a d i o O p o j a 

Ketu jeni me radio Opoja 

Blektori :

Nga raca e deleve dominon “Delja e Sharrit”, e cila është racë e produktivitetit të ulët, por kur krahasohet me Pramankën e Peshterit, Sjenicës dhe të Svrlinkut është më produktive.

Delja e Opojës i takon llojit të Deles së Sharrit, areali i së cilës shtrihet në tërë Malin Sharr si në Kosovë, Shqipëri (Kukës dhe Peshkopi) dhe në veri-perëndim të Maqedonisë. Pramenka e Sharrit është dele bishtshkurtër me prejardhje nga Muftani Evropian (lat. Ovis Musian) por edhe nga paraardhësi (lat. Ovis Vignei).

Si çdokund në Malet e Sharrit edhe Delja e Opojës nuk gjendet më si dele e pastër e Sharrit, por është fisnikëruar me Merinosin Gjerman (Delen e Virtembergut). Megjithatë delja meleze e opojës ka ruajtur cilësitë e deles autoktone të Sharrit si qëndrueshmërinë, hapin e gjatë, etj. Ndërkaq nga Merinosi Gjerman ka marr rritjen e pjellorisë, shtimin e sasisë së mishit, sasinë dhe cilësinë e leshit dhe shtimin e qumështit. Në Opojë kjo dele haset me emrin “Rude”. Gjate verës i shfrytëzon kullosat e larta të Sharrit dhe gjatë dimrit ushqehet në shtallë. Ka cilësinë e përshtatjes në kushte të varfra të ushqimit. Dallohet me leshin e saj cilësor, mishin e shijshëm, qumështin e trashë dhe me pjellën e hershme. Sasia e prodhimit të leshit është 1.3 – 1.5 kg te delet dhe 1.6 – 1.8 kg te dhentë. Fija e leshit arrin gjatësinë 11 cm, hollësia e saj është 35 μm me rreze 58%. Prodhimtaria e qumështit gjatë një lektacioni është 50 – 90 litër me rreth 6.5% yndyrë. Ka mish të cilësisë së lartë e në veçanti shquhet mishi i qengjit. Nga prodhimtaria e deles së opojës veçohet qumështi, kosi dhe djathi. Në veçanti Djathi i Sharrit që është shumë i njohur në treg.

Delja e Opojës kryesisht është dele e bardhë, me trup të zgjatur, me këmbë të gjata e të forta. Ka profil konveks, kryesisht është pa brirë ndërkaq deshtë janë kryesisht më brirë me përjashtime të vogla ku gjenden edhe desh pa brirë (shyt), kanë qafë dhe veshë të gjatë e të ngritur. Lartësia e Deles së Opojës është rreth 58 cm, thellësia e gjoksit është 26 cm, gjerësia 17 cm. Masa e gjallë trupore është rreth 32 kg te deshtë rreth 45 kg. Qengjat lindin me peshë mesatarisht prej 3 kg. Riprodhimi te Delja e Opojës fillon në moshën 18 muajsh, plleshmëria minimale është 102 qengja në 100 dele, ndërsa ajo maksimale deri 115%.

Delja e Sharrit krijon afërsi me bariun. Ajo e ndjek atë dhe e dallon zërin e tij, këtë e shfaq në blegërimë. Në të shumtën e rasteve tufa e deleve të Opojës udhëhiqen nga ogiçi (zakonisht ky dash me lesh të zi që nuk qethet dhe që mban kambanën). Ogiçi zakonisht qëndron prapa bariut.

Prej racave të lopëve, përkundër shtimit të racave meleze “Busha e Kuqe” e Opojës dhe me rrallë “Busha e Zezë”. Kjo racë vendore është e produktivitetit të ulët, e cila peshën maksimale (180 – 250 kg) e arrin në vitin e pestë dhe jep rreth 700 – 800 litër qumësht në vit. Dominimin e “Bushës” e ka kushtëzuar dhe do ta kushtëzoj edhe më tej ndërtimi i saj fizik, i cili i përgjigjet edhe terrenit malor. Busha e Opojës është në gjendje që brenda ditës t’i shfrytëzoj kullosat më të larta të Sharrit dhe në mbrëmje të kthehet në shtëpi.


Fauna 

Shumllojshmëria e florës së bashku me faktorët klimatik, gjeologjik, pedagogjik, etj., kanë kushtëzuar një botë shumë të pasur e të larmishme të faunës. Duke mos pasur pretendime se do të mund të evitojmë të gjitha llojet, do të mundohemi t'i prezantojmë pjesën më kryesore të faunës.

Deltari Ilir ose Qeni i Sharrit është qen autokton në Trojet Shqiptare, në Ilirinë antike Ky qen njihet prej shumë kohësh, për të mësohet ne Histori te Ilirisë dhe njihet me emrin Qeni Dardan. Deltari ilir është plot fuqi, i madh, këndrejt, qimegjatë, deltarë i pazëvendësueshëm, dhe ruajtës i mirë. I fuqishëm me pamje impozante, me kokë masive ndërtim të thukët, me këmbë të fuqishme dhe muskulore. Ka shikim të zjarrtë inteligjent dhe është i guximshëm. Ka karakter të padjallëzuar është i ashpër kur e kërkon nevoja por jo agresiv. TRUPI: Lartësia: te mashkujt - 67-78 cm ndërsa te bushtrat - 62-70 cm Pesha: te meshkujt - 40-60 kg ndërsa te bushtrat - 30-50 kg Tek qentë mbi 50 % të ekzemplarëve dominon lartësia 70 cm ndërsa te bushtrat 66cm. KOKA: Gjatësia e kokës te qentë është 27-32cm mesatarisht 30cm ndërsa te bushtrat 24-29 cm mesatarisht 27 cm. Proporcioni kafkë-turi, te qentë 17,4cm : 12,6 cm te bushtrat 15,3 cm : 11,7 cm, raporti 60:40 turiri përbën 2/5 e kokës kurse kafka 3/5 te qentë ndërsa 5/9 te bushtrat. NGJYRA: Te Deltari ilir kemi disa varietete të ngjyrave ku sipas përqindjes dominojnë: Ngjyra Vidra apo Tigër me 30 %, ngjyrë Hiri me të gjitha varietetet 20 %, ngjyrë e Verdhë me turi të zi 20 %, ngjyrë e Bardhë 20 %, dhe Kontra maska 10 %. QIMJA: e gjatë 

Nga grupi i bishave në Opojë jetojnë :

  • Luqerbulli, Macja e egër, Ujku, Dhelpra, Shqarthi, Bukla, Vjedulla, Vidra, Ariu i murrmë, Derri i egër, etj.

Nga grupi i kaprojve në Opojë jetojnë:

  • Kaprolli dhe Dhia e egër.

Prej brejtësve në Opojë jetojnë:

  • Lepuri, Miu shtëpiak, Ketri, Vidheza, Miu i malit dhe Miu i fushës.

Nga grupi i insektengrënësve në Opojë jetojnë:

  • Iriqi dhe Urithi.

Prej zvarranikëve në Opojë jetojnë:

  • Breshka, Hardhuca, Hardhuca e murit dhe hardhuca ngjyrë hiri.

Nga grupi i rrëshqitësve në Opojë jetojnë:

  • Laroshi, Bollujca dhe Shlliga (i cili është një lloj i gjarprit kërcyes).

Prej bretkosave në Opojë jetojnë:

  • Zhaba, Bretkosa e gjelbër, Bretkosa e shiut (Çapini i shiut), Gargaliqi (është një lloj i bretkose së vogël).

Malet e Sharrit brenda vitit i vizitojnë apo në të jetojnë mbi 200 lloj zogjsh. Shumllojshmëria, zëri dhe ngjyrat e tyre, këtij nënqielli ia dhurojnë një kolorit të bukur atraktiv. Në Opojë jetojnë apo atë e vizitojnë këto lloje të zogjve: Kaçubeti i kuq, i cili është mjaft endacak, Kaçubeti i zi, Shqipja, Shqipja e maleve, Shqipja patullake, Shkaba kokëbardhë, Hutini (Huti), Petriti apo Gjeraqina, Krahëthata, Krahëthata gishtëshkurtër, Skifteri, Thëllëza (në Opojë e quajnë Fullazë) dhe disa lloje të pëllumbave si Turreci, Qyqja, Qukapiku, Lauresha, apo Çerdhukulli, Dallëndyshja, Çika e malit, Cika e bjeshkës e cila zakonisht ulet në gurë të thepisur e hasim në lartësinë 2000 m, Laraska, Sqepholla, Sqepëholla kokëzezë, Cicami, Mizangrënjsa e përhimët, Mizangrenjësa laroshe, Mizangrenjësa qafëbardhë, Mizangrenjësa e vogël, Bardhoshja, Bishtkuqja e zezë, e hasim vetëm në lartësi, Gushëkuqi që është zogu më simpatik, Bilbili i vogël i cili në Opojë vjen në Prill, këngët e tija dëgjohen në Maj dhe në Qershor, Mullizeza, Trecka bishtgjatë, Trecka e përhimët malore, Fraga, Kryeartëza, Gjelbëroshja, Gushëkuqi i cili këndon bukur, Sqeptrashi, Verdhoshja, Sqepkuqi, Trumcaku (Harabeli), Laraska, Stërqoku sqepkuq, Korbi, Sorra e përhimët, etj.

Lejleku është vizitor i rrallë i Opojës i cili paraqitet një kohë të shkurtër gjatë verës.